Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Genc Pollo:- “Në çdo qeveri normale dhe në çdo vend normal, rrëzimi në Parlament i Ministrit të Punëve të jashtme, i ministrit më kryesor pas titullarit të qeverisë në çdo kabinet, do të ishte një ngjarje e mjaftueshme që kryeministri të jepte dorëheqjen”.

Kështu e ka nisur konferencën e tij për shtyp zoti Genc Pollo, kryetari i Partisë Demokrate të Re. Shumë shpejt do të ndërmarrim një mocion mosbesimi, kundër qeverisë Nano në Kuvend, ka vazhduar më tej Pollo. Gjithashtu kryetari i PDR ka ftuar Berishën, deputetët e opozitës, por dhe një pjesë të deputetëve të mazhorancës, për ta përkrahur këtë nismë. Sipas zotit Pollo, nëse kryeministri nuk do të japi dorëheqjen:

Genc Pollo:- “Nuk ka rrugë tjetër përveçse të paraqesë mocionin e besimit në Kuvend, sipas nenit 104 të Kushtetutës, mocionin e besimit për vetveten dhe për qeverinë e tij”./tvklan.al