“Shqipëria në moshën digjitale”, slogani i kryeministrit Berisha do të shkojë drejt përmbushjes brenda 3 viteve në vijim.

Ministri i Shtetit Genc Pollo ka deklaruar se kompjuteri me akses në internet do t’i ofrohet çdo nxënësi shqiptar brenda këtij mandati.

Pollo shkon më tej me futjen e teknologjisë elektronike në vend teksa hedh idenë e kryerjes së pagesave nga ana e qytetarëve përmes telefonit celular.

Genc Pollo: “Iniciativa ‘Shqipëria digjitale’ nuk ka në thelb përdorimin e kompjuterit, sistemet e data bazave, internet, webfaqet edhe pse këto janë të rëndësishme. Por më e rëndësishme është përdorimi i tyre për të nxitur qeverisjen efektive. Brenda këtij mandate në do pajisim çdo nxënës me kompjuter. Do kemi çdo kompjuter të lidhur me internet. Edhe banori i fundit i një komune të largët po të dojë përmes celularit të tij do të mund të paguajë faturat e dritave, të ujit apo të telefonit.”

Deklaratat u bënë gjatë një konference  të zhvilluar në Tiranë me përfaqësues të vendeve të Evropës Juglindore ku trajtuan çështje që lidhen me krijimin e një hapësire të vetme të informacionit në rajon, nxitjen e inovacioneve dhe investimeve në teknologjinë elektronike duke garantuar akses për të gjithë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro