Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Demokrate e Re dhe kryetari i saj Genc Pollo kanë hapur fushatën elektorale në Fushë Krujë. Nën moton “Mjaft me të vjetrën, voto PDR” Genc Pollo ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie në këtë qytet. Nga Fushë Kruja Genc Pollo ka denoncuar fenomenin e “kandidatëve zarfar” siç e quan ai, kandidatët që kanë dhënë zarfe për të marrë vulën e partisë.

Genc Pollo:- “Me që flasim për korrupsionin, të nderuar zotërinj doja të ndalesha në një fenomen shumë shqetësues. Unë në Fushë Krujë do të doja të doja të denoncoja fenomenin e “kandidatëve zarfar”, kandidatët që kanë dhënë zarfe për të marrë vulën e partisë, si ata që e kanë blerë vulën e PD, si ata të tjerët që kanë blerë vulën e PS. T’i themi gjërat siç janë, një kandidat në Fushë Krujë, në Durrës, në jug apo në veri në Shqipërisë që ka paguar sipas rastit 10 mijë euro, 50 mijë dollarë, apo 150 mijë dollarë dhe qëllon që fatkeqësisht zgjidhet në detyrë, në krye të bashkisë, nuk mendon të shërbejë për qytetarët por të dyfishuar dhe trefishuar atë shumë që ka paguar në xhepat e zyrtarëve të larët të partisë përkatëse dhe ky është fenomeni më i keq që nxjerr zbuluar propagandën e madhe. Ky është një fenomen që duhet denoncuar në Fushë Krujë dhe gjithë Shqipërinë, që gjithë shqiptarët ta marrin veshë se ku shkon vota e tyre dhe ku shkojnë paratë e tyre”./tvklan.al