Ish-anëtari i komisionit të çmimeve për vitin 2007, i thirrur me shoqërim te detyrueshëm nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, ishte i vetmi dëshmitar që u paraqit në seancën e kësaj të marte për dosjen “Gërdeci”, por nuk preferoi të fliste, duke ushtruar të drejtën që i jep ligji.

Ndërsa dy dëshmitarët e fundit Luan Hoxha dhe Anjola Agolli ish-sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë, nuk u gjetën nga policia as në këtë seancë.

Sipas komunikimeve që policia ka patur me familjarët e Agollit, ata thanë kjo e fundit nuk ndodhej në Shqipëri. Por, nga një verifikim i bërë nga prokurorët e posaçëm në sistemin TIMS, rezultoi se Anjola Agolli ndodhet në Shqipëri.

Prokuroria kërkoi që të lexohen thëniet e saj, por në seancën e radhës pasi të shfrytëzohen mundesitë e tjera për ta gjetur.

Ndërsa për gjeneralin Luan Hoxha u vendos të administroheshin dëshmitë e dhëna më datë 17.02.2009 si person i pandehur. Ndërkohë nga avokatët e Mediut dhe nga avokati i viktimave u këmbëngul që Luan Hoxha të pyetet me letërporosi ose përmes video-konferencës.

Por, sipas prokurorit kjo gjë është e pamundur pasi nuk ka një adresë të saktë të vendndodhjes së tij në SHBA.

Në përfundim të procesit, ish-ministri Mediu tha se gjenerali duhet të pyetet me letër-porosi ose video-konferencë për të pasur një proces të drejtë ligjor.

“Sot në paraqitjen e provave shkresore Prokuroria bie atë volum shkresash pa përcaktuar qartë se kush është në këtë volum shkresash dhe përgjegjësitë konkrete të ministrit. Ne i kërkuam Prokurorisë sot të na thotë ekzaktësisht ku është përgjigjia dhe veprimi subjektiv i ministrit. Nëse ky debat nuk do zhvillohet rreth përgjegjësive të ministrit, mendoj që është proces që tentohet të kalohet si i radhës. Duhet të shtrojmë në thelb të gjitha faktet ashtu siç janë. Ata që janë dëshmitarët kryesorë nuk kanë pranuar që të pyeten. Shefi i shtabit të përgjithshëm, duhet patjetër t’i japë përgjigje disa pyetjeve për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Nuk mund të marrim të mirëqenë deklarata që janë bërë në një moment të caktuar. Ky duhet të jetë një debat interaktiv. Nëse në gjykatë vazhdojmë të ecim me absurdin, unë mendoj që kjo nuk i shërben të vërtetës”, tha Mediu.

Prokuroria vijoi me administrimin e provave shkresore, ku ishin ekspertimi teknik i shpërthimit, ekspertimi kontabël i dëmeve dhe ekspertimi ushtarak në lidhje me municionet e demontuara.

Mbrojtja e Mediut i kërkoi Prokurorisë të përcaktonte rolin e ish-ministrit të mbrojtjes dhe përgjegjësitë e tij lidhur me provat që ato administrojnë.

Seanca e radhës u la më datë 24 Prill ora 12:00.

/tvklan.al