Gert Bogdani: “Pasi tërhoqi grupin parlamentar nga debati për ligjin e pastërtisë së figurave zoti Rama doli përpara shqiptarëve për të bërë sulmin e radhës ndaj kryeministrit. Kryeministri Berisha ka respekt për të ekzekutuarit dhe familjet e tyre dhe të kohës së regjimit, ka respekt më të madh dhe për të vërtetën, e cila është gjëja e vetme që tmerron zotin Rama. Në diskutimin e tij të djeshëm kryeministri theksoi se zoti Rama po e lë mbrapa Partinë Socialiste dhe po e rendit atë krahas Partisë Socialiste serbe dhe partisë radikale serbe si të vetmet tre parti që nuk pranojnë lustacionin. Zoti Rama e bën këtë vetëm e vetëm për të mbrojtur lidhjet e tij me të shkuarën e zezë të familjes së vet. Në rast se zoti Rama do të faktojë të kundërtën duhet t’u kërkojë të falur shqiptarëve për firmën që i ati i tij si anëtar i presidiumit të kuvendit popullor ka hedhur për ekzekutimin e intelektualëve të shquar, Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Gazmend Leka e dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Zoti Rama duhet t’u kërkojë të falur shqiptarëve për dhjetëra e dhjetëra bijë dhe baballarë, të cilët u ekzekutuan nga pseudo-intelektuali, Spiro Koleka. Zoti Rama e di mirë se kryeministri Berisha nuk bën përgjegjës djalin për të atin, por ky i fundit nuk pranon lustacionin dhe fakton se më shumë se gjithçka mbron lidhjet e zeza të familjes së tij me të kaluarën e errët të regjimit komunist. Kryeministri Berisha e fton zotin Rama të gjejë kurajo dhe të shkëputet nga e kaluara e errët sepse kjo do ta ndihmojë të shikojë përpara.”/tvklan.al