Kriza financiare globale po përhapet me shpejtësi dhe duket se nuk do të lë pa prekur dhe Shqipërinë.
Paralajmërimi vjen nga drejtori i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Gerwin Bell, i cili vlerëson se disa disavantazhe të mosintegrimit të vendit tonë në tregjet botërore shihen tani si avantazhe.
Por sipas tij kjo krizë mund të ndikojë në ngadalësimin e tregtisë me vendet evropiane. Në pakësimin e eksportimeve shqiptare, në fluksin e të ardhurave nga emigrantët, si dhe në pakësimin e investimeve të huaja.
Kësaj situate i shtohet edhe problemi i kreditimit të lartë të ekonomisë, huatë e dhëna në valutë dhe mungesa e një kornize ligjore të efektshme, me të cilën përballen bankat për të marrë kolateralin në rast se huamarrësi nuk arrin të paguajë.
Një zgjidhje sipas Bell do të ishte që ky ligj të nxirrej jashtë paketës së kodit civil dhe të miratohej veçmas duke rritur besueshmërinë e bankave.
Ai këshillon një monitorim të vazhdueshëm të sistemit bankar duke mos lënë pas rëndësinë që ka ndjekje nga qeveria shqiptare e politikave të një buxheti të qëndrueshëm.
Kreu i misionit të FMN-së minimizoi problemet që mund të kenë bankat e huaja në Shqipëri për faktin se modeli i biznesit të tyre ndryshon nga ai i bankave evropiane dhe ato e sigurojnë pjesën më të madhe të fondeve nga depozitat e brendshme./tvklan.al