Armë zjarri janë gjetur brenda një banese ngjitur me apartamentin në Astir ku ishte ngujuar vajza që pretendonte se ishte dhunuar nga disa persona.

Burime për tvklan.al bëjnë me dije se brenda banesës tjetër u gjetën 2 armë zjarri nga forcat e policisë.

Kjo banesë ku u gjetën armët rezulton të jetë marrë me qira. Në momentin e ndërhyrjes nga policia, nuk kishte asnjë person.

Siç bëhet me dije, efektivët ndërhynë në banesën ngjitur me atë të vajzës së ngujuar dhe aty gjetën armë zjarri. Përveç këtyre të fundit, mbi tavolinë u gjetën edhe shenja kokaine.

Ndërsa gazetari i Klan News Besar Bajraktari raporton se dy banesat ishin marrë me qira ditore nga i dashuri i vajzës së ngujuar.

Por si nisi historia e ngujimit të vajzës në banesë që çoi në blindimin e Astirit?

Salla operative e policisë u sinjalizua përmes një telefonate se një vajzë me iniciale S.Q. rreth 25-30 vjeç pretendonte se ishte dhunuar nga disa persona brenda një banese në zonën e Astirit në kryeqytet.

Forca të shumta policore dhe shërbimet e tjera të emergjencës rrethuan zonën. Vajza ishte mbyllur brenda banesës dhe nuk i hapte derën policisë dhe zjarrfikëses.

Pas disa minutash negociata me të, ndërhynë forcat RENEA nga dritarja brenda banesës. Në apartament ndodhej vetëm vajza dhe asnjë person tjetër, teksa e reja që alarmoi policinë ishte qetësuar.

Pas ngjarjes, gazetari Bajraktaraj mësoi se ka qenë babai i vajzës i cili kishte denoncuar se e bija ishte rrëmbyer, pistë që nuk rezultoi e saktë.

Por në banesën ngjitur, policia që ndërhyri në kuadër të kontrolleve, gjeti 2 pistoleta mbi tavolinë.

Të dyja banesat, me të njëjtin pronar, ishin dhënë me qira ditore. Pronari i banesave u pyet nga policia dhe sqaroi se këto banesa i kishte dhënë me qira ditore tek një person, që rezulton të jetë i dashuri i vajzës së ngujuar. Ai është shpallur në kërkim nga uniformat blu.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojnë se:

Rreth orës 14:10, u bë hapja e derës së banesës nga Forcat “Renea”, nuk pati probleme.

Shtetasja S.Q, ndodhet nën asistencën e stafit mjekësor. Nga këqyrja paraprake nuk konstatohen shenja të dukshme fizike.

Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve të ngutshme hetimore dhe kontrollit të apartamenteve të tjera në pallatin në fjalë, në një banesë tjetër janë gjetur 2 armë zjarri pistoletë. Brenda kësaj banese nuk janë gjetur persona në momentin e kontrollit.

Grupi hetimor po kryen veprimet përkatëse me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e poseduesit të armëve.

/tvklan.al