5 persona u shpallën në kërkim nga Policia e Tiranës pasi dyshohen se mbajtën peng 21-vjeçaren e cila të enjten nëpërmjet një telefonate në sallën operative denoncoi se po dhunohej.

E reja u nxor nga apartamenti në katin e 8 në zonën e Astirit, vetëm pas ndërhyrjes nga forcat speciale të RENEA-s nga dritarja, pasi për disa orë, refuzoi tu hapte derën efektivëve.

Me anë të një njoftimi zyrtar, Policia tha se hetimet e deritanishme treguan se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë mbajtur të mbyllur atë në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.    

Gjithashtu, me qira ditore nga një prej personat e shpallur në kërkim lidhje e të resë, ishte marr edhe një apartament përballë në të cilin u gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri dhe municion luftarak. 

Veç akuzës së heqjes së paligjshme të lirisë, ndaj personave të shpallur në kërkim janë ngritur akuza edhe për armëmbajtje pa leje dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Veç telefonës së 21-vjeçares, në sallën operative për të kishin mbërritur edhe 2 denoncime të tjera, një prej të cilëve nga një i afërm i saj që kishte dëshmuar se ajo kishte shfaqur probleme gjatë kontakteve me telefon dhe një tjetër që pretendonte se në atë apartament ishte një vajzë e cilat prej orësh bërtiste.

Tv Klan