Ky është automjeti fuoristradë tip “Porsche” që u përdor në vrasjen e 48-vjeçarit, Lulzim Visha mëngjesin e 24 Janarit, në Zall Mner të Kamzës.
Tv Klan ka siguruar foton e tij, të fiksuar nga disa kamera sigurie në zonën ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Pavarësisht se ky automjet është ekspozuar në disa kamera si para dhe pas vrasjes, hetuesit nuk kanë mundur të përftojnë të dhëna për 2 autorët që dyshohet se ndodheshin në brendësi të tij.
Megjithatë policia po mundohet që përmes kamerave të krijojë një itinerar lëvizjeje si para dhe pas ngjarjes.
Ky automjet i cili rezultoi i denoncuar si i vjedhur në 2022 në Elbasan, u gjet i shkrumbuar pas vrasjes së bashku me armën e krimit, në zonën e Zall Herrit.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe prokuroria po analizon dy konflikte që viktima ka patur në të shkuarën. Këto konflikte janë pohuar dhe nga familjarët e Lulzim Vishës përpara oficerëve të policisë. Megjithatë deri tani hetuesit nuk kanë të dhëna që të lidhin vrasjen e 48-vjeçarit me ndonjë prej tyre.
Tv Klan