Hetuesit në Indonezi kanë gjetur pjesë të tjera nga avioni që u rrëzua të shtunën dhe i mori jetën 62 pasagjerëve dhe pjesëtarëve të ekuipazhit. Deri tani mësohet se hetuesit kanë zbuluar dy sinjale që mund të çojnë në gjetjen e të gjithë avionit që u rrëzua në det.
“Ne kemi zbuluar sinjale në dy pika. Kjo mund të jetë kutia e zezë”,u tha gazetarëve Bagus Puruhito, shefi i Agjencisë së Kërkimit dhe Shpëtimit në Indonezi.
Nga ana tjetër zyrtari i Marinës Indoneziane, Wahyudin Arif, deklaroi se ata kishin gjetur pjesë të dyshuara të avionit të avionit me gjatësi rreth një metër, pjesë e një gome dhe pjesë të trupit të viktimave.
Tashmë të gjitha pjesë e gjetura janë dërguar në laborator për ekzaminim të mëtejshëm. “Unë jam optimist se do ta gjejmë aeroplanin së shpejti”, tha për një konferencë për shtyp,Henri Alfiandi, një ndihmës i shefit të shtabit të Forcës Ajrore Indoneziane.

Ndërkohë Presidenti Joko Widodo, duke folur në pallatin në Bogor, shprehu ngushëllime për këtë tragjedi dhe kërkoi që të gjithë të ishin të përqendruar në këtë ngjarje.
Avioni që u rrëzua kishte në bord 12 anëtarë të ekuipazhit dhe 50 pasagjerë, të gjithë indonezianë, duke përfshirë shtatë fëmijë dhe tre foshnje. Boeing 737-500 u zhduk nga radarët katër minuta pas ngritjes./tvklan.al