Dhjetë deputetë të kuvendit të Shqipërisë ndodhen në grevë urie që prej mbrëmjes së ditës së hënë.
Kundërshtia ndaj mënyrës se si po orientohet miratimi i kodit të ri zgjedhor, por edhe pretendimi për përjashtim nga procesi për administrimin e zgjedhjeve janë arsyet bazë të këtij aksioni politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane të Ndokës dhe Partisë Socialiste 91.
Greva e deputetëve është mbështetur dhe nga një grup protestuesish të vendosur në krah të godinës së ish-të përndjekurve politikë vetëm pak metra larg selisë së kuvendit.
Të martën paradite pavarësisht përpjekjes së tyre për t’iu ribashkuar sikurse dhe një natë më parë grevës dy deputetët Dritan Prifti dhe Jak Ndokaj janë ndalur nga forcat e gardës të vendosura përpara hyrjes kryesore të kuvendit.
Dritan Prifti: “Sekretari i përgjithshëm më tha që kam urdhër që në kuvend mos të lejohem unë për t’u rikthyer, as ndonjë deputet tjetër që dëshiron t’i bashkëlidhet grevës së urisë. Unë për vete kam detyrën nga grevistët e urisë që të jem zëdhënësi i tyre, të komunikoj me, njerëzit jashtë janë të shqetësuar për ata, të komunikoj me mediat dhe duke mos më lejuar mua të shkoj brenda do të thotë që ata janë totalisht të izoluar”.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një intervistë telefonike për TV Klan rreth mesditës tha se në sallën e kuvendit u gjet një aparaturë e vendosur enkas për të penguar valët telefonike.
Dy orë gjatë paradites asnjë prej deputetëve nuk mund të lidheshe me telefon si e vetmja mundësi edhe për gazetarët për të marrë informacion se çfarë ndodh me deputetët grevistë.
E marta shënon ditën e dytë të grevës pas paralajmërimit të saj zyrtar gjatë seancës së radhës së kuvendit.
Organizatorët nuk kanë dhënë afat mbi kohëzgjatjen, gjë që lidhet me sigurinë e plotësimit të kërkesës së tyre kryesore, miratimit me konsensus të gjerë të kodit zgjedhor.
Andrea Stefani: “Demokracia është barazi. Barazia është drejtësi dhe kjo që po ndodh me partitë është një padrejtësi që cenon barazinë, prandaj është e papranueshme dhe unë solidarizohem me të gjithë ju këtu për t’i thënë jo këtij hapi autoritarist dhe me tone fashiste”.
Artur Zheji: “Ne jemi një me ata që janë brenda. Ne jemi një me të drejtën e pamohueshme të shqiptarëve për ta mbyllur një herë e mirë bilancin e turpshëm të këtyre 18 viteve që iu është vjedhur sistematikisht vota.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi