Me diskutimin mbi famën dhe idhujt, “Gjenerata Alfa” ka mbërritur në fund të rrugëtimit të saj. Për 15 javë, të rinjtë janë takuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan duke ndarë mendime, realizuar diskutime e dëgjuar eksperienca mbi tematika të ndryshme që kanë në qendër brezin e ri.
Në fund të këtij episodi final, duke u nisur edhe nga tema, moderatori Ardit Gjebrea ka një këshillë për të gjithë pjesëmarrësit.
Ardit Gjebrea: Unë apo bashkudhëtarët, ndoshta pse e kemi fillar kontaktin me publikun që në moshë fare të re, për shembull, unë që 5 vjeç, nuk e ëndërronim famën Çdo hap yni në skenë ishte sepse e donim atë që bënim. Fama nuk ishte qëllim në vetvete, ajo erdhi vetë. Më pas kuptuam se gjithçka vinte nga dëshira për të mbushur shpirtin, ndaj edhe këshilla ime sot do të ishte: besoni te dëshira juaj! Besimi që keni se mund t’ia dilni për atë të cilin ju dashuroni dhe dëshironi të bëheni në jetë do të bëjë që ju të dëgjoni thirrjet tuaja të brendshme. Besoni në misionin tuaj të jetës. E them këtë sepse te ju shoh një brez me kaq shumë ngjyra, me kaq shumë motiv për të jetuar dhe mbi të gjitha, me dëshirën për të pohuar vlerën e zërit tuaj. Shpresoj që misioni që caktuam në krye të herës si një premtim mediatik që të bëhemi zëri juaj, ta kemi kryer me sukses shpresoj.
Blendi Fevziu: Suksese të gjithë!
Ardit Gjebrea: Do të doja të falenderoja gjithsecilin prej jush, heronj të vetes dhe të realitetit që po jetojmë! Për 15 javë na treguat që ju jeni ajo gjeneratë tek e cila symbyllur ne do t’i besojmë të ardhmen. Ishte për ne televizisht, “Gjenerata Alfa” që jeni ju!/tvklan.al