Është ndër njerëzit me një karrierë jetëgjatë në televizion, një program që prej vitesh mbetet stoik në qëndrueshmërinë e tij, gazetar, autor librash, numëron mijëra ndjekës në rrjetet sociale, por Blendi Feviu s’e ndien veten si të famshëm.

Në një bisedë me të rinjtë e “Gjeneratës Alfa” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ai thotë se nuk ndien ndonjë bezdi në jetën e tij prej të qenit i njohur, por as ia vesh vetes statusin e të famshmit.

Ardit Gjebrea: Çfarë të bezdis nga fama jote?

Blendi Fevziu: Shiko, unë s’e kuptoj këtë famën kur ma thonë…

Ardit Gjebrea: Je i famshëm dhe në çdo moment, kudo që je, je i vëzhguar…

Blendi Fevziu: Duke qenë shumë vite që dal në televizion, 27 vjet që dal gati çdo natë, unë e kam humbur sensin e vëmendjes ndaj të tjerëve, nuk e kthej kokën, nuk e ndiej shumë këtë se e dëgjoj që më thonë… që të thuash të jep bezdi fama është të jesh hipokrit, s’ka pse, është një gjë e bukur, njerëzit që të përshëndesin, të flasin, të bëjnë, absolutisht ndonjë gjë e tillë s’është. Por nuk është se e ndiej shumë në përditshmëri që të them se ka njerëz që i dëgjoj, jam i famshëm, mirë i them…

Më tej, Fevziu shprehet se sigurisht që të qenët i njohur të favorizon, por nuk të ndryshon jetën. Ai vazhdon të ketë një rutinë tijën, hobet e pasionet. Por mes gjithë angazhimeve të tij, a ia del gazetari që t’i kushtojë kohë edhe familjes?

Blendi Fevziu: Po, besoj që po. Me gocën e madhe jo se kam qenë më i ri dhe kam ndenjur më pak. Me gocën e vogël po, besoj që po. Tani se të gjithë jemi të limituar në kohë, unë besoj që nuk i mungoj, mundohem t’i kushtoj kohë, mundohem ta shijoj, e kam kuptuar që kjo është një kohë e limituar sepse vjen një ditë që edhe ajo do të marrë rrugën e saj dhe ti nuk do ta kesh më aq prezente, siç kam qenë dhe jam me prindërit, kështu që në këtë kohë besoj që kaloj./tvklan.al