Blendi Fevziu ishte i ftuari special i rubrikës “Gjenerata Alfa” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të diskutuar mbi famën, suksesin dhe idhujt. Ai mendon se dëshira për të qenë i njohur e për të pasur sukses është një nga elementët që ndihmon në zhvillimin e personalitetit. Problemi që gazetari sheh në këtë është tentativa për të qenë i njohur me çdo kusht.
Në raport me rrjetet sociale, fama përfshin turmën dhe të gjithë përpiqen të gjejnë diçka për të mos dalë nga trendi. Fevziu shpjegon se njeriu ka gjithnjë një dozë protagonizmi e ata që s’e kanë aspak këtë, janë veçse një pakicë. Ai kujton një rast që s’e harron kurrë gjatë kohës që ishte student dhe po ndodhte një demonstratë, por aty i zunë sytë njeriun që s’e kishte menduar kurrë.
Blendi Fevziu: Kam një rast që s’kam për ta harruar kurrë në jetën time, ua them të gjithëve sesi ndodh evidentimi i njerëzve meqë po flasim, kjo nuk është famë por mënyra sesi del. Në 9 dhjetor të vtit 1990 isha duke shkuar në shkollë. Isha në fakultet, shoku me të cilin shkoja në shkollë, Ben Blushi kishte ikur para se ne takoheshim në rrugë. Duke u afruar te “Rruga e Elbasanit” dëgjova thirrje. Gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte demonstratë, por demonstratë në Shqipërinë komuniste ishte e paimagjinueshme. Ndërkohë, vajzat e vitit të parë, unë isha në vit të fundit, po vinin me vrap dhe thanë “demonstratë, ik me vrap, ik”. Në atë moment që unë ngela dhe desha të shkoja më përpara, mbërritën policë, forca speciale, ushtarë, u vendosën aty në rresht dhe në këtë kohë që unë po tmerrohesha nga prania e ushtarëve, policëve, gjithë frika që kishim grumbulluar me vite, ka qenë ndoshta hera e fundit në jetën time që po më dridheshin gjunjët nga frika.
Befas pashë rreshtin e parë të studentëve që erdhi nga kthesa, aty ku sot është ambasada amerikane. Në rreshtin e parë e di kë pashë? Njeriun më të urtë të kursit tim. Një djalë nga Gramshi i cili kurrë në 4 vite shkollë nuk kishte hapur gojën, kurrë ndonjëherë nuk ishte bërë protagonist, nuk e kisha dëgjuar as në mësim. Njeriu më i qetë, më i sjellshëm, gjithmonë ishte në rreshtin e parë, i kapur përdore, protagonist dhe më iku edhe mua frika. Si një njeri del nga anonimati fare, një njeri pa asnjë lloj protagonizmi, por kurrë, edhe kur luanim futboll i thoshim, vinte më qetë, befas vihet në krye të një lëvizjeje që mund t’i hiqte kokën, mund t’i merrte jetën./tvklan.al