Ndërsa mbeten dhe katër javë nga finalja e edicionit të tretë të Gjeniut të Vogël, konkurrimi mes skuadrash është bërë më i fortë.

E kjo garë i ka dhënë më tepër ton spektaklit, i cili mbrëmë ka ngjitur në skenë në një performancë origjinale dhe një prej pjesëtarëve të jurisë.

Alma Bektashi interpretoi bashkë me skuadrën që udhëheq, një hit të muzikës botërore We don’t need another hero, të idhullit të muzikës Tina Turner.

Pjesë e rëndësishme në programin e çdo jave për konkurrentët e gjeniut mbeten të ftuarit, një arsye më shumë për të sfiduar njëri tjetrin, por edhe për të provuar aftësinë e të kënduarit në krah të këngëtarëve profesionistë, sikundër interpretimi i këngës që Olta Boka një ish-konkurrente e gjeniut, e interpretoi në arenën e Euro Vizionit dy vjet më parë. Eliza Hoxha ishte një tjetër e ftuar e natës së dhjetë e Gjeniut të Vogël.

Si çdo të shtunë trupa e baletit Spekter nën koreografinë e Llaqi Nakos pushtoi teatrin e Gjeniut këtë herë me një balet Hip-Hop, por konkurrimi i fëmijëve ka vijuar me të tjera këngë të përvetësuara mirë nga ata, duke bërë që sfida mes tyre të jetë e fortë, ndaj dhe largësia me pikë nga njëri tjetri është shumë e ngushtë.

Sërish këngë të njohura për të gjithë përcjellin sfidën e konkurrentëve nëpërmjet interpretimeve të veçanta, që kanë kthyer në protagonistë të njohur secilin prej fëmijëve të Gjeniut.

Ndërsa e shtuna e 11-të po afron në përgatitjen e tyre skenike dhe mbi të gjitha interpretimin e sigurt edhe të këngëve të mëdha, konkurrentët e Gjeniut kërkojnë qysh në këtë moshë të sigurojnë një vend në elitën e këngëtarëve profesionist, një sfidë për të cilën i ndihmon pse jo edhe vota e publikut që ata i voton./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani