Dita e katërt e audicioneve për përzgjedhjen e talenteve të reja të spektaklit “Gjeniu i Vogël” ka vijuar në qytetin e Korçës. Dhjetëra fëmijë të shoqëruar nga prindërit e tyre, kanë pritur prej orëve të para të mëngjesit, fillimin e këtyre audicioneve, të organizuara nga Promotor dhe Tv Klan, në teatrin “Andon Zako Çajupi”.

“Gjeniu i Vogël” ka ngjallur interesin, jo vetëm të fëmijëve korçarë, po edhe atyre nga rrethe të tjera si Leskoviku, Kolonja e Pogradeci. Talentet e vegjël, të moshës 7 deri në 16 vjeç, janë prezantuar para jurisë me krijime të moshës së tyre, por edhe me këngë të njohura, të vështira për t’u interpretuar.

Performanca e disa prej talenteve ishte befasuese për jurinë, duke pohuar plotësisht punën që fëmijët kishin bërë për tu prezantuar seriozisht në këtë audicion.

“E emocionuar pak nga salla, nga juria, por mendova se ja e talentuar në këtë fushë dhe vendosa të vij të “Gjeniu i Vogël”

“Mendoj që këndoj mirë.”

“Jam shumë e gëzuar që mora pjesë në Gjeniu. Ëndrra ime është që të bëhem një këngëtare, kisha në fillim kur u futa emocione, por më pas më kaluan. Pastaj kur vajta përsëri në skenë që u ngjita kisha pak fare, por një çikë më shumë të them të drejtën kisha nga profesori Adrian Hila.”

“Me pak emocione, si gjithmonë u kënaqa dhe më pëlqeu mendimi i jurisë. Shpresoj t’iu kem pëlqyer dhe gjithashtu të fitoj dhe të shkoj tek Gjeniu.”

Dy anëtaret e jurisë, këngëtareve Olta Boka dhe Anjeza Shahini, që vlerësuan prezantimin e fëmijëve korçarë, thonë se midis tyre ka talente premtues në rrugën e këngës dhe spektaklit.

Anjeza Shahini: “Deri tani kanë qenë shumë mirë, jo vetëm në Korçë, por kudo që kemi shkuar, kemi mbetur shumë të kënaqur nga rezultatet.”

Olta Boka: “Shumë, shumë mirë, një veti tek te gjithë që kemi parë jo vetëm në Korçë, por në të gjitha qytetet që kemi bërë audicionet. Vihet re një shkathtësi e brezit të këtyre grup-moshave dhe më vjen mirë sepse normalisht shkathtësia është ajo gjëja e parë që shmang emocionin dhe në një farë mënyre janë më premtues përsa i përket skenës.”

Tashmë audicionet e “Gjeniut të Vogël” do të mbahen të premten dhe të shtunën në Tiranë. Por, edhe këto dy audicione të fundit janë të hapura edhe për fëmijët e talentuar të qyteteve të tjerë, apo atyre afër Tiranës, që s’kanë mundur të paraqiten në audicionet e ditëve të para.

Pas këtyre audicioneve juria do të përzgjedhë talentet më të mirë që do të marrin pjesë në spektaklin “Gjeniu i Vogël”, që do të transmetohet në Tv Klan./tvklan.al