Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Socialdemokratët nuk do të marrin pjesë në komisioni për reformën zgjedhore, pasi veprimi i gjykatës kushtetuese, e cila nuk e shqyrtoi kërkesën e partive të vogla, e cilëson tashmë të dështuar këtë komision. Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi shprehet mosbesues ndaj punës që do të nxjerrë komisioni për ndryshime në kodin zgjedhor.

Skëndër Gjinushi: “Ne do e lëmë që ky komision të dështojë si ai i pari, ne s’kemi pse të marrim pjesë në një dështim. Gjykata tregoi që nuk i reziston dot presionit politik dhe meqenëse ishin të detyruar të merrnin vendim në favorin tonë dhe në dëm të të mëdhenjve, por në favor të demokracisë, ata preferuan të bënin pushime të qeta, mos kishin probleme me të mëdhenjtë. Është një tentativë përsëri për ta mbajtur problematik procesin zgjedhor në Shqipëri dhe është lojë jo vetëm e disave në Shqipëri, por edhe e ndonjë ambasadori, që mesa duket nuk punon për demokracinë në Shqipëri, sepse ai ka qenë dëshmitarë i këtij dështimi, ka qenë bashkëfajtor në këtë dështim, pasi dhe këtë e them me shumë kompetencë dhe hapur, sepse rekomandimet e OSBE-së janë krejt tjetër nga çka thotë ndonjë përfaqësues i OSBE-së”.

Përsa i takon koalicionit për Integrim, Gjinushi nuk do të prish marrëdhëniet me PS. Luhatjet e fundit të aleatëve të majtë për të dalë nga koalicioni, duke sjellë në këtë mënyrë krizë të socialistëve, Gjinushi ia faturon Berishës pasi i intereson loja politike me aleatët e tij opozitarë, shprehet ai.

Skënder Gjinushi: “Është e disave në politikën shqiptare, kryesisht e Berishës, i cili vazhdon lojën, nuk do reformë zgjedhore, por do anti-reformë, fakti që vjet imponoi nene anti-kushtetuese, do të thotë, që do anti-reformë dhe që imponon komisione të tilla të cilët janë vetë, nuk vendosin barazi ndërmjet deputetëve, merre me mend se sa mund të japë barazi për shtetasit dhe është edhe lëshim nga ana e PS, të rënë nën presion, nga kompleksi i inferioritetit, punë e tyre, që gabojnë duke pranuar këtë kurth. Kështu që këtu nuk bëhet fjalë për koalicionin, bëhet fjalë që aleati ynë, disa përfaqësues të tij shkojnë dhe gabojnë”.

Kreu i socialdemokratëve shprehet me bindje, se votat në 2005 do të jenë të pastra, që do të sjellë dhe fitoren e mazhorancës socialiste./tvklan.al