Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Qendra e mbrojtjes në Gjirokastër jep alarmin, asnjë hidrant nuk funksionon në këto ditë të nxehta vere, nga 20 të tilla që numëroheshin gjatë sistemit komunist. Ligji për mbrojtjen nga zjarri i detyron organet e pushtetit vendor të marrin masa, si dhe të sigurojnë ujin e nevojshëm për mbushjen e automjeteve duke përfshirë vendosjen dhe montimin e hidrantëve për mbrojtjen nga zjarri ndaj banesave private dhe pallateve.

Stacioni i mbrojtjes nga zjarri në Gjirokastër i ka kërkuar ndihmë drejtorisë së ujësjellësit dhe bashkisë së qytetit, për të furnizuar të paktën një hidrant, për çdo lagje, por në përgjigje thuhet se nuk ka fonde. Në rast rreziku shpëtuesi i vetëm është automjeti zjarrfikës i Gjirokastrës, i cili furnizohet 43 minuta larg qytetit.

“Për 43 minuta në qytetin e Gjirokastrës në qoftë se do të marrim zonën muzeale, zjarri është i paparashikueshëm. Do të jetë me dëme kolosale, unë ju them ligji i ka të përcaktuar qartë dhe së shpejti do jepet edhe në kodin penal. Përgjegjësit dhe shkaktarët e zjarreve do të kalojnë para ligjit”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj