Një ditë pas ekstradimit të tyre nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes u është komunikar nga Gjykata e Posaçme masa e sigurisë “arrest me burg” caktuar në mungesë lidhur me atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja në Nëntor të 2019-ës në autostradën Tiranë – Durrës.
Në këtë ngjarje, Dervishaj akuzohet si porositës, ndërsa Meçe si një nga autorët e sulmit, ku mbeti i vrarë Andi Moloku, shoferi i ish-prokurorit dhe u plagosën Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho.
Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, Meçe mësohet të ketë thënë se ka ardhur në Shqipëri me dëshirën e tij, ndërsa Dervishaj është shprehur se ekstradimi i tij ka qenë tërësisht i jashtëligjshëm.
Krahas kësaj ngjarjeje, Plarent Dervishaj pritet të njihet të premten dhe me masën e sigurisë caktuar në mungesë për operacionin “Asgjë nuk harrohet”, ku ai akuzohet si i përfshirë në vrasjet e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe Artan Arsit në 2005-ën.
Dorëzimi i dy të shumëkërkuarve përpara drejtësisë shqiptare, shënoi dhe operacionin e parë të ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ishte Interpol Tirana që lokalizoi dy eksponentët e botës së krimit në Dubai, e më pas ndoqi të gjitha procedurat deri në ekstradimin e tyre.
Tv Klan