Gjykata e Apelit në Tiranë lë të lirë biznesmenin, Rezart Taçi. Gjykata e Apelit ka ndryshuar në mesditë masën e arrestit me burg, dhënë ditë më parë nga gjykata e shkallës së parë Tiranë.
Rezart Taçi është i detyruar të paraqitet përpara prokurorisë sa herë ai do të thirret prej saj.
Pas shpalljes së këtij vendimi avokati i biznesmenit, Maks Haxhia deklaroi se Rezart Taçi do të kërkojë dëmshpërblim për qëndrimin e padrejtë në qelitë e burgut.
Maksim Haxhia: “Me thënë të drejtën nuk jam i emocionuar nga rezultati sepse më keq se kaq nuk kishte për të ndodhur për Rezart Taçin. Po unë jam i emocionuar për diçka tjetër për precedentin që persekutohen biznesmenët, ata që mbajnë këtë shoqëri në këmbë, ata që mbajnë spitalet, ata që mbajnë policët, ata që mbajnë shkollat, ata që na mbajnë të gjithëve neve me të ardhura.”
Anduena Llabani: “Do kërkoni dëmshpërblim për qëndrimin në burg?”
Maksim Haxhia: “Kjo është një fazë dytë, është precedent i rëndësishëm që ky vend urgjentisht duhet të hiqet dhe të largohet nga masat ekstreme për njerëz që nuk janë ekstrem në ato veprimtari. Ju garantoj se Reazart Taçi do jetë më i respektuar nga mediat se çka qenë më përpara.”
Vendimi erdhi pas dëgjimit të versionit të prokurorëve të çështjes dhe palës mbrojtëse.
Argumenti kryesor i akuzës për të mbajtur në arrest Taçin ka qenë i çuditshëm.
Sipas tyre, vepra penale për të cilën ai akuzohet cenon rëndë standardet e organizmave ndërkombëtare ku Shqipëria aspiron të integrohet.
Çudia qëndron në faktin se prokurorët mund të kërkojnë ndëshkime sipas kodit penal në rastet kur ka vepër penale, dhe jo në bazë të moralit.
Ndërsa avokatët mbrojtës e konsideruan si absurde masën e dhënë nga gjykata e shkallës së parë, duke thënë se ajo nuk është aplikuar për asnjë rast të ngjashëm./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani