Urdhërarreste ndërkombëtare për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të mbrojtjes Joav Gallant dhe drejtuesin ushtarak të Hamasit, Mohamed Deif lëshoi këtë të Enjte, Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Në një deklaratë të gjykatës me qendër në Hagë thuhet se ka arsye të forta për të besuar se Netanyahu mban përgjegjësi penale për krime lufte përfshirë “përdorimin e urisë si metodë lufte” dhe “krime kundër njerëzimit, të tilla si vrasje, persekutime dhe vepra të tjera ç’njerëzore”.
Me akuzat për krime kunër njerëzimit do të përballen edhe dy të akuzuarit e tjerë. Dyshime ka megjithatë se komandanti i militantëve të HAMAS-it Mohamed Deif është vrarë në një sulm izraelit në Shtator në Rripin e Gazës edhe pse organizata pro-iraniane palestineze nuk e ka konfirmuar.
Izraeli, megjithatë hodhi poshtë akuzat dhe fuqinë e gjykatës së Hagës për t’u marrë me luftën në Rripin e Gazës. Izraeli, Shtetet e Bashkura, Rusia, Kina dhe India nuk e njohin këtë gjykatë. Netanyahu dhe Gallant nuk rrezikojnë arrestimin nëse nuk hyjnë në territorin e një prej 124 shteteve që njohin juridiksionin e kësaj gjykate.
Lufta në Rripin e Gazës zhvillohet prej një viti e 2 muajsh dhe i ka marrë jetën mbi 44 mijë palestinezëve.
Tv Klan