Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Gjykata e Krimeve të Rënda është duke përfunduar një proces me dy të pandehur me të cilët pretendohet se kanë vrarë shokun e tyre të ngushtë, gjatë trazirave të vitit 1997.
Ky proces ka nisur 7 vjet pas ngjarjes, pasi vetëm kohët e fundit familjarët e viktimës kanë bërë denoncimin në polici. Ai është kryer nga motrat e viktimës Artur Rexha nga Tirana, menjëherë pas miratimit të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Që nga dita e ngjarjes familjarët e viktimës janë ndierë të kërcënuar nga autorët për të mos bërë kallëzim në organet e drejtësisë.
Gjatë seancës së radhës ku kanë qenë të pranishme edhe motrat e Rexhës. Dy të akuzuarit si autorë F. Ç. dhe A. B. kanë thënë se ata janë takuar me viktimën, por nuk e kanë kryer ata vrasjen. Pas kësaj të fundit madje dy të pandehurit kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit.
Megjithatë prokuroria i ka qëndruar pretendimeve të saj, se kanë qenë këta të akuzuar që kanë kryer vrasjen me paramendim për shkak të disa mosmarrëveshjeve me viktimën./tvklan.al