Anëtari i “Camorra”, autor i masakrës në bulevard
Italiani Salvatore Letizia, i dënuar me burgim të përjetshëm si vrasës me pagesë për masakrën të Bulevardi “Zogu i Parë”, humbi betejën edhe në Gjykatën e Lartë.
Kjo e fundit la në fuqi dënimet e dhëna nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Mars të 2019, duke dënuar përfundimisht edhe dy vëllezërit Markeljan dhe Kejvin Doçi me 47 vite burg në total.
Ata janë gjetur fajtorë për vrasjen e trefishtë në 27 Maj 2015 të Mentor Lufit, Gerti Goxhajt dhe Besnik Sulkut.
Hetimet treguan se italiani, i njohur edhe si pjesë e Camorras në shtetin fqinj dhe dy vëllezërit Doçi ishin pjesë e dy grupeve rivale që u përplasën me armë në qendër të Tiranës.
Breshëritë e para në atentat u qëlluan nga Salvatore Letizia, që bashkë me Besnik Sulkun ekzekutuan Mentor Lufin.
Ky i fundit ishte edhe objektivi i atentatit ku mbeti i vrarë edhe Gerti Goxhaj. Pas kësaj, nipat e Mentor Lufit, Markeljan dhe Kejvi Doçi, iu përgjigjen me armë dy atentatorëve. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë Besnik Sulku, ndërsa italiani u plagos lehtë. Shkak për konfliktin mes dy grupeve ishte një vrasje në Holandë ku u qëllua për vdekje Durim Sulku, vëllai i Besnik Sulkut.
Tv Klan