Dritan Dajti është mbyllur përjetë në qeli, për vrasjen e 4 efektivëve të Policisë në vitin 2009 në Durrës. Gjykata e Lartë ka vendosur që të ndryshojë vendimin e shkurt të vitit 2019, të ish-Gjykatës së Apelit për  Krime të Rënda. Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Artur Kalaja vendosën të pranojnë rekursin e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda që kundërshtoi vendimin e dënimit të Dajtit me 25 vite burg.

Prokuroria kërkonte të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë që e dënoi Dajtin me burgim të përjetshëm, duke mos i pranuar gjykimin e shkurtuar. Nga 2009 kur u arrestua deri në vitit 2019 Dritan Dajti ka zhvilluar një betejë të ashpër me drejtësinë. Ai pretendonte se gjatë operacioni që u zhvillua në 7 gusht të 2009 në Durrës për arrestimin e tij nuk i kishte njohur se ishin efektivë të policisë, pasi nuk kishin shenjat dalluese.

Dritan Dajti do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Ai u shpall fajtorë për vrasjen e efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e ndodhur më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij. Në atë kohë Dajti ishtë në kërkim nga drejtësia jonë pasi ishte arratisur nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 Nëntor 2003, vetëm. Ai mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër.

Dritan Djti në 2003 akuzohej për vrasjes së biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999. Për këtë ngjarje ishte dënuar me 20 vite heqje lirie.

Klan News