Gjykata e Lartë nuk ka mundur të marrë sot vendimin për heqjen e imuniteti të deputetit Nikollë Lesi me kërkesë të zonjës Xhoana Nano. Në seancën e sotme avokatja e zonjës Nano, Evelina Qirjako ka ripërsëritur kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Lesi, njëkohësisht botuesi i gazetës “Koha Jonë”.
Avokatja ka pretenduar se botuesi Lesi duhet të procedohet penalisht për shpifje dhe ofendim ndaj zonjës Nano nëpërmjet disa shkrimeve në gazetën e tij. Sipas saj, artikujt në fjalë kanë ofenduar rëndë një figurë të rëndësishme shtetërore. Të njëjtat argumente ka dhënë edhe prokurori Artur Selmani i cili ka konisderuar se shkrimet e gazetës “Koha Jonë” përbëjnë elemente të veprës penale.
Kolegji i Gjykatës së Lartë është tërhequr për dhënien e vendimit, por nuk ka mundur të ketë një vendim duke e shtyrë dhënien e tij për të premten. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se, me shumicë votash, anëtarët e kolegjit kanë votuar për heqjen e imunitetit të deputetit Lesi me kërkesë të zonjës Xhoana. Ndërsa vetë Nikollë Lesi ka deklaruar se, pas kësaj seance, në parlament do të ketë një seancë spektakël ku shqiptarët do të njihen me fakte të reja. /tvklan.al