Gjyqtarët e seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës vendosën këtë të premte që 12 emigrantët e sjellë në Shqipëri të rikthehen në Itali. Vendim që siç shkruan La Repubblica, vjen pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga komisionet territoriale. Ky vendim ka ndezur një përplasje politike mes qeverisë italiane dhe opozitës. Por mbi të gjitha zemërimin e mazhorancës në Itali, ndaj togave të zeza.

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi tha se vendimi i Gjykatës së Romës do të apelohej deri në Gjykatën e Kasacionit. Ndërsa kryeministri Giorgia Meloni tha: “Do të gjej një zgjidhje edhe për këtë problem. Kam thirrur Këshillin e Ministrave të hënën për të miratuar rregullat që shërbejnë për të kapërcyer këtë pengesë. Nuk mendoj se është në juridiksionin e gjyqësorit të përcaktojë se cilat vende janë të sigurta e cilat jo. Është kompetencë e qeverisë, ndaj besoj që qeveria duhet të sqarojë mirë se çfarë nënkuptohet me vend të sigurt”.

Ndërkohë, të shtunën 12 emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti që ndodhen në Gjadër, do të kthehen me anijen e rojes bregdetare italiane.

Pavarësisht vendimit të gjykatës së Romës, La Repubblica shkruan se qeveria italiane është e vendosur për të vazhduar me planin e saj: “Do të ecim përpara edhe me këto iniciativa sepse nga viti 2026, ajo që Italia po zbaton në Shqipëri e jo vetëm, do të bëhet një e drejtë Europiane”, theksoi ministri i Brendshëm Piantedosi.

Vendimi i autoriteteve italiane erdhi vetëm pak orë pasi gjykatësit e seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës nuk konfirmuan dërgimin në qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, të azilkërkuesve nga Egjipti dhe Bangladeshi që u shpëtuan natën e 13 Tetorit në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve italiane.

Vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, por me përcaktimin si vende të sigurta të shteteve të origjinës prej nga vijnë emigrantët, sipas një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, dhënë më 4 tetor.

Sipas kësaj gjykate, që një vend origjine të quhet i sigurt, ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe kundrejt çdo individi, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit. Italia i quan vende të sigurta origjine Egjiptin, Bangladeshin apo Tunizinë, por Gjykata e Romës thotë se sipas përcaktimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë ato nuk mund të konsiderohen të tilla./tvklan.al