12 emigrantët e jashtëligjshëm të sjellë në kampin e Gjadrit do të rikthehen nesër në Itali.

Lajmi bëhet i ditur nga ANSA, e cila raporton se emigrantët do të nisen të shtunën nga Shëngjini me një anije të Marinës Italiane për t’u kthyer në Bari, nga ku do të dërgohen më pas në një qendër për azilkërkuesit në territorin italian.

Vendimi i autoriteteve italiane erdhi vetëm pak orë pasi gjykatësit e seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës nuk konfirmuan dërgimin në qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, të azilkërkuesve nga Egjipti dhe Bangladeshi që u shpëtuan natën e 13 Tetorit në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve italiane.

Vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, por me përcaktimin si vende të sigurta të shteteve të origjinës prej nga vijnë emigrantët, sipas një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, dhënë më 4 tetor.

Sipas kësaj gjykate, që një vend origjine të quhet i sigurt, ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe kundrejt çdo individi, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit.

Italia i quan vende të sigurta origjine Egjiptin, Bangladeshin apo Tunizinë, por Gjykata e Romës thotë se sipas përcaktimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë ato nuk mund të konsiderohen të tilla.

Vendimi zemëroi kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila duke e cilësuar atë si të paragjykuar, tha se është e vendosur ta çojë përpara këtë çështje.

“Shpresoj që dikush të gjejë zgjidhje edhe për mua sepse unë jam ai që më pas duhet t’i gjej zgjidhjet. Dhe në fakt do të gjej një zgjidhje edhe për këtë problem. Ne nuk do të humbasim kohë, kam thirrur në takim kabinetin të hënën për të zgjidhur këtë problem, sepse kam ndërmend të eci përpara”.

Autoritetet Italiane në kampin e Gjadrit ua refuzuan kërkesat për azil 12 emigrantëve të ardhur në Gjadër dhe ata janë në pritje të riatdhesimit. Por me vendimin e Gjykatës së Romës, ata nuk do të mund të dëbohen.

Tv Klan