Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të pandehurit e procesit gjyqësor të pasaportave kundërshtojnë marrjen si provë, të akt-ekspertizës së kryer nga prokuroria shqiptare në Francë. Ekspertiza është kryer në një laborator special francez pranë Gjykatës së Apelit.

Ai ka nxjerrë, se pasaporta e prodhuar nga firma gjermane Bundesdruckerei, ka disa mangësi, përfshirë edhe mungesa të disa prej elementëve të sigurisë, si dhe shmangie të tjera nga ajo që parashikonte kontrata e nënshkruar mes Ministrisë së Rendit dhe firmës gjermane. Por të pandehurit Himçi dhe Myftari janë shprehur, se ekspertiza është bërë pikërisht në shtetin, firma përfaqësuese e të cilit në tender, ka qenë kundërshtarja e parë gjatë procedurave të tij. Ata pretendojnë se ky dokument është i njëanshëm.

Ndërkohë duket, se procesi gjyqësor me padinë e 4 ish-drejtuesve të SHISH, do të përfundojë pa dëshmitarë. Gjykata revokoi vendimin, për thirrjen si dëshmitare edhe të drejtoreshës aktuale të personelit në SHISH, Vera Halilaj. Gjatë procesit me dyer të mbyllura, avokatët mbrojtës të 4 ish-drejtuesve të larguar nga puna, kërkuan si dëshmitar kreun aktual të SHISH, Kujtim Hysenaj, si dhe deputetin Ndre Legisi dhe disa punonjës të institucionit, por asnjëri prej tyre nuk arriti të dëshmojë.

Paditësit Sokol Bare, Frederik Ymeri, Adriatik Muho, kërkojnë të rikthehen në punë, pasi SHISH nuk u ka komunikuar atyre asnjë shkelje për shkarkim nga detyra. Të gjithë ish-drejtuesit e pushuar u larguan pak kohë pas shkarkimit të ish-kreut të SHISH Fatos Klosi./tvklan.al