Vetëm pak orë pas vendimit të gjykatës për arrest me burg në mungesë, Rezart Taçi vetëdorëzohet në polici, por para kësaj, në një deklaratë për mediat, ai hodhi akuza për një sulm të organizuar kundër biznesit të tij.
Rezart Taçi: “Jam këtu për të theksuar deklarata e bëra pak ditë më parë dhe pikërisht faktin që jam i gatshëm të respektoj në çdo moment, çdo instancë ligjore të drejtësisë së shtetit tim dhe në rastin konkret vendimin e gjykatës së rrethit Tiranë. Por nuk mund të mos shpreh bindjen time të plotë që e gjitha kjo situatë është rezultati i një strategjie dhe lufte të filluar shumë kohë më parë ndaj personit tim dhe bizneseve që unë zotëroj. Gjithashtu dua të theksoj faktin se nuk është në edukatën dhe formimin tim personal përdorimi i dhunës ndaj askujt dhe për më tepër ndaj përfaqësuesve të mediave. Prandaj hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura gjatë këtyre ditëve ndaj personit tim nga segmente të caktuara të saj. Që në këtë moment sapo rashë në dijeni të vendimit të gjykatës, vihem në dispozicion të drejtësisë dhe shpreh bindjen që rasti në fjalë do të trajtohet në bazë të ligjit.”
Taçi u dorëzua rreth orës 16:00 në drejtorinë e policisë Tiranë. Biznesmeni i njohur do të qëndrojë nën arrest për akuzën e rrahjes për shkak të detyrës.
Dy truprojat e tij u njohën me këtë akuzë në gjykatë, por avokatët mbrojtës e hodhën poshtë këtë akuzë dhe deklaruan se do ta apelojnë vendimin.
Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndryshe nga shumë seanca pasardhëse është zhvilluar me dyer të hapura vetëm për dy televizionet Vizion Plus dhe Top Channel, kjo me arsyetimin se shumë gazetarë dhe kameraman brenda sallës së stërmadhe të gjykatës do të krijonin kaos dhe zhurmë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani