Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Gjykata e Lartë e Zvicrës ka refuzuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e dy të akuzuarve kryesor, të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”. Lajmi është konfirmuar nga avokati i të pandehurve Dylber Mani. Ai tha, se është vënë në dijeni për këtë vendim nga të afërm të të pandehurve në Zvicër, si dhe nga avokatët e tyre atje.
Vendimi është marrë në orën 10:00 të datës 23 Korrik dhe ai nuk mund të ankimohet u shpreh avokati. Ndërkohë, Ministria Shqiptare e Drejtësisë ka deklaruar, se nuk është në dijeni për një vendim të tillë, pasi përgjigja në rrugë zyrtare kërkon disa javë kohë.
Orik Shyti dhe Kreshnik Spahiu kërkuan strehim politik në Zvicër, pak kohë pas vrasjes së shoferit të prokurorit të përgjithshëm, autori i së cilës sipas prokurorisë është Altin Arapi, kushëriri i Shytit. Arapi aktualisht ndodhet i arrestuar në Belgjikë për llogari të drejtësisë shqiptare, ndërsa personi i vetëm i arrestuar këtu është e fejuara e Arapit, e cila gjithnjë sipas hetimeve ka qenë në vendin e ngjarjes në 31 Tetor të vitit të kaluar.
Veç kësaj vrasje, Arapi dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate, duhet të përgjigjen për një numër veprash të rënda penale të kryera pas viteve 90./tvklan.al