Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Arben Grori dënohet edhe me 19 vjet të tjera burg, pas njohjes së vendimit të gjykatës italiane disa muaj më parë për burgim të përjetshëm. Kryetari i trupit gjykues të çështjes Gjin Gjoni shpalli në seancën e fundit të procesit për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike vendimin, sipas të cilit Arben Grori dënohet me 19 vjet burg, ndërsa i akuzuari si bashkëpunëtor Agron Tresa me 17 vjet burg.

Dosja prej qindra faqesh me prova dhe përgjime, që vërtetojnë sipas akuzës, se grupi prej 52 personash ka trafikuar heroinë në Itali, ka ardhur nga drejtësia e këtij shteti. Vetëm të pandehurit Grori e Tresa u gjykuan në Shqipëri, ndërsa 50 të pandehurit e tjerë me shtetësi të ndryshme u gjykuan në Itali.

Gjykata e Milanos e dënoi para disa vitesh Arben Grorin me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit. Kjo është dosja e dytë për trafik ndërkombëtar droge, që shqyrtohet nga gjykatësi Gjoni, pas asaj me gjashtë të pandehur ndër të cilët edhe ish-oficeri i policisë gjyqësore në prokurorinë e përgjithshme Sokol Koçiu./tvklan.al