Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në arrest me burg 10 personat e arrestuar në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika latine drejt vendit tonë. 7 shqiptarët nuk folën në gjykatë, ndërsa 3 shtetasit e huaj: 2 venezuelianë dhe kolumbiani u justifikuan.

Njëri prej venezuelianëve deklaroi se kishte ardhur në Shqipëri për të mbjellë flokët. Tjetri ka theksuar se kishte ardhur për të blerë rroba në Shqipëri dhe Turqi. Ndërsa shtetasi kolumbian kërkoi gjatë seancës një telefon në mënyrë që të lajmërojë familjen.

SPAK ka nisur të peshojë sasinë e e kokainës që u gjet e implementuar në lëkurën e gjedhëve. Për të transportuar ngarkesën u përdor një subjek shqiptar i licensuar në importin e gjedhëve.

Droga, e cila futej në Shqipëri nëpërmjet lëkurës së gjedhit, ekstraktohej më pas nga kimistët nga Venezuela dhe Kolumbia në laboratorin në Qerekë të Fushë Krujës. Materialet ndihmëse dhe vendet nga bëhej më pas shpërndarja e saj për tregun vendas dhe europian ishin dy banesa në Tiranë dhe Durrës.

SPAK ka arritur të sekuestrojë 48 tonë lëkura gjedhi në të cilën është fshehur edhe lënda narkotike, që sipas përgjimeve të kryera janë futur në Shqipëri në muajin Shtator dhe në fillim të Nëntorit.

Klan News mësoi se droga ishte nisur nga Brazili ndërsa në operacion kanë ndihmuar autoritetet e drejtësisë spanjolle. Një vit më parë në këtë shtet u kap një ngarkesë dhe nga hetimet rezultoi se ishin të përfshirë disa shqiptarë.

Mësohet se SPAK i ka mbajtur të hetuarit për disa muaj në vëzhgim dhe përgjim. Gjatë operacionit të zhvilluar mbrëmjen e të premtes, në 15 Nëntor, u sekuestruan lëndë narkotike, përzierës për lëndën narkotike, vlera monetare dhe sende të tjera si telefon apo materiale të tjera të nevojshme për ngritjen e laboratorëve.

Klan News