Reagon Trump: Fitore e madhe
Donald Trump merr një fitore të rëndësishme për ndërtimin e murit kundër emigrantëve ilegalë përgjatë kufirit me Meksikën. Gjykata Supreme, shkalla më e lartë e gjyqësorit amerikan, anuloi vendimin e gjykatës federale në Kaliforni që ndalonte përdorimin e një fondi prej 2.5 miliardë dollarësh të akorduar nga Pentagoni për ngritjen e murit.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë reagoi përmes Twitterit, ku e quajti vendimin e gjykatës supreme një fitore të madhe. Ndërsa për demokraten Nensi Pelozi që drejton dhomën e ulët të kongresit, ky vendim shkon përkundër parimeve demokratike, që kanë ngritur themelet e Shteteve të Bashkuara. Sipas saj, themeluesit e SHBA-së ngritën një demokraci që qeveriset nga populli dhe jo një monarki.
Projekti i presidentit Trump kap vlerën e 5 miliardë dollarëve në total dhe parashikon bllokimin me mur të të gjithë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Por për demokratët, fondet do të hidhen për një projekt pa vlerë, pasi muri nuk do t’i japë asnjë zgjidhje krizës së refugjatëve në kufijtë jugorë.
Tv Klan