Gjykata e Posaçme urdhëroi këtë të enjte SPAK t’i vërë në dispozicion ish-ministrit Ilir Beqaj dhe 8 të hetuarve të tjerë për koncensionin e sterilizimit, dosjen e plotë në mënyrë elektronike.
Marrja e dosjes në këtë formë pa pagesë, sipas Beqajt është rrëzimi i pengesës artificiale të krijuar sipas tij nga SPAK.
“Urdhëroi akuzën që të na vërë në dispozicion të 602 volumet e akuzës në version elektronik”, tha ai.
Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për të marrë të pandehur Beqajn me dyshimet se shpërdoroi detyrën në dhënien në kushtet e konfliktit të interesit biznesmenit Ilir Rrapaj, për shkak të njohjeve me të.
Për shpërdorim detyre dhe mashtrim me pasoja të rënda akuzohet zëvendësi i Beqajt, Klodian Rjepaj që bashkë me Rrapajn ndodhen në qeli që prej Gushtit të shkuar.
Të pandehur për këtë dosje, SPAK kërkon të marrë edhe 6 ish-zyrtarë të tjerë për akuzën se shpërdoruan detyrën gjatë dhënies së koncensionit të sterilizimit në 2015.
Tv Klan