Prokurori Sokol Stojani ka kërkuar që Mero Baze të dënohet me 200 mijë lek gjobë për shpifje, për shkak të detyrës. Ky procedim penal ka filluar më parë me pretendimin se në artikullin “urrejtja e qartë” është goditur rëndë reputacioni i Fatos Nanos si politikan, person publik, kryeministër i vendit dhe qytetar. Në këtë artikull Baze ka krahasuar mundimet e burgut të të burgosurve politikë me kohën e burgimit të Nanos. Pas kërkesës së prokurorit për të shpallur fajtor dhe dënuar me gjobë Mero Bazen, avokati mbrojtës reagon duke deklaruar se akuza po shkel procedurat si në kohën e diktaturës.
Avokati mbrojtës: “Ka kaluar koha e diktaturës para viteve ‘90 ku proçesi jonë ishte i ndërtuar, porçesi penal, në një mënyrë tjetër. Sot ai që ngre akuzën, ashtu sikurse dhe në një çështje civile, ai që bën padinë, ka detyrimin të provojë pretendimet të cilat ngrë. Në këtë rast prokuroria që ka bërë akuzën duhet të provojë pretendimet e saj. I pandehuri është i lirë në seancë gjyqësore të marri pjesë, të mos marri pjesë, të përgjigjet, të mos përgjigjet, d.m.th., nuk ka asnjë detyrim që të rëndojë mbi të. Detyrimet janë për atë që ngre akuzën. Dhe për mua, duke qenë se, siç jua spjegova, nuk janë paraqitur prova në gjykim, për mua akuza ngelet e pa provuar.” /tvklan.al