Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ky është Ismet Haxhia, njëri nga të arrestuarit nën akuzën, si pjesëmarrës në atentatin ndaj Azem Hajdarit. Ai u paraqit sot në një seancë gjyqësore për sigurim provash, në Gjykatën e Tiranës. Tani Ismet Haxhia, vëllai i ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhisë, së bashku me Fatmir Metën, janë përballur sot me dëshmitarin e shumëpërfolur Petrit Cerka.

Cerka nga qyteti i Tropojës, ka qenë prezent gjatë kryerjes së atentatit ndaj Azem Hajdarit. Ashtu si dje edhe sot, gjatë tre orëve, trupi gjykues ka asistuar mes ballafaqimeve të dëshmitarit dhe dy të akuzuarve. Sipas avokatëve të këtyre dy të fundit, Cerka ka pretenduar se ka parë të pranishëm në ngjarjen e 12 Shtatorit 1998, si Haxhinë ashtu edhe Metën, pranë selisë së PD.

Krahas dy emrave të mësipërm, ai ka përmendur edhe emra të tjerë si Jaho Salihi, e Isamedin Haxhia. Në ballafaqimin e sotëm Fatmir Meta dhe Ismet Haxhia, nuk kanë pranuar versionin e Petrit Cerkës./tvklan.al