“Stop” sjell edhe njëherë në vëmendje rastin e shtimit në mënyrë fiktive të 70 dynymëve tokë nga ana e gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu. Gazetari depozitoi ankesa në KLGJ, KLP dhe Ministrisë e Drejtësisë, për falsifikim dokumentesh nga ana e zonjës Fetahu. Emisioni “Stop” tregon sesi u krijua nga e para dosja korruptive me diferencën e sipërfaqes në Gjinar të Elbasanit.
“Një javë më përpara emisioni Stop publikoi rastin e falsifikimit të një vendimi në Rrethin Gjyqësor Elbasan, të gjyqtares Pajtime Fetahu dhe menjëherë ditën e nesërme ne bëmë një kërkesë zyrtare për të marrë një vendim nga kjo gjykatë me pullë dhe vulë të saj. Nga Kryesekretaria ne na u vu në dispozicion vendimi i cili ka 383.4 dynym. Pra kjo gjykatë dhe sekretaria dhe dosja që është brenda sekretarisë, na tregon që ky vendim është vendimi origjinal. Por emisioni Stop nuk e la me kaq. Kërkoi përsëri në Gjykatën e Elbasanit, kopje të dispozitivëve në regjistrin e kësaj gjykate dhe e dini se çfarë na dhanë? Na dhanë vendimin me 312.4 dynym. Çka do të thotë që vendimi i dytë dhe dosja është ribërë edhe njëherë nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, pra e ka falsifikuar të gjithë dosjen dhe vendimin”,
shpjegon gazetari i Stop.
Vendimi i parë që ka nxjerrë gjyqtarja Pajtime Fetahu është ai i vitit 2003, ky vendim që ekziston edhe në regjistrin e dispozitivëve në Gjykatën e Elbasanit, me 312.4 dynym. Ky fakt forcohet duke iu referuar edhe vulës së këtij vendimi. Ajo mban të stampuar mbishkrimin Gjykata Elbasan, sepse nga 2003 deri në 2010-n. Gjykata e Gramshit dhe ajo e Librazhdit nuk ishin shkrirë dhe nuk ishin pjesë e Gjykatës Elbasan.
Vendimi me 383.4 dynym është vendimi i falsifikuar nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, sepse vula që mban ky vendim ka të stampuar mbishkrimin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, çka do të thotë që vendimi është falsifikuar pas 2010-s, ku Gjykata e Gramshit dhe ajo e Librazhdit u shkrinë dhe u bënë një Gjykatën e Elbasanit.
“Kjo gjyqtare duhet të mbajë përgjegjësi për rreth 71 dynym të falsifikuar dhe të marrë në mënyrë korruptive në Gjinar të Elbasanit”,
shton më tej gazetari i Stop.
/tvklan.al