Pas 8 ditësh nga deklarimi në polici i zhdukjes së fëmijës 3 vjeç në Durrës, ai është dorëzuar nga polici nga gjyshja e tij. Kjo e fundit ishte shpallur në kërkim nga policia bashkë me vëllain e saj. Gjatë këtyre ditëve hetime, Policia kishte dyshime se këta mund të kenë marrë 3-vjeçarin dhe e kanë fshehur nga e ëma e tij, e cila e referoi rastin në polici.
Korrespondentja e Klan News, Enkeleda Arapi raporton se gjyshja shoqërohej nga avokati në momentin kur ka dorëzuar nipin e saj në polici dhe për faktin që ajo ishte shpallur në kërkim dhe ndaj saj rëndon akuza “rrëmbim apo pengmarrje e personit në mënyrë të padrejtë”. Gjyshja e të voglit ende nuk ka dhënë një dëshmi se ku ndodhej gjatë këtyre ditëve. 3-vjeçari është bashkuar me nënën e tij dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
2 ditë më parë, uniformat blu kanë vënë në pranga gjyshin e të miturit, Rexhep Gjunin dhe kunatin e këtij të fundit, Arben Selaj. 49-vjeçari, i vënë në pranga është banues në Has, qytet ku policia ka kryer kontrolle pas dyshimeve se i mituri mund të ishte fshehur atje tek të afërm të gjyshes së 3-vjeçarit.
26-vjeçarja, Ile Gjuni prej një viti ka humbur bashkëshortin në një aksident rrugor. Nga ai moment ajo është shprehur se vjehrri dhe vjehrra e saj kanë tentuar t’i marrin fëmijën. Me këto pretendime të së resë dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara, Policia e Durrësit ka kryer një sërë verifikimesh dhe kontrolle banesash.
Njoftimi i policisë:
Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpuntorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.
Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.
Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
/tvklan.al