Takimi i parë me vdekjen për pastorin Akil Pano ka qenë në moshën 10-vjeçare. Në një episod që ai ndan me “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kujton ndarjen nga jeta të gjyshit që për të ishte një hero. Tri ditë para vdekjes, pastori e pa gjyshin duke qarë ndërsa lutej fshehurazi e ai i foli për vdekjen.
Pas kësaj ngjarjeje, gjyshi pësoi infarkt dhe ndërsa dergjej në momentet e fundit gjatë të cilave Akili kujtonte bisedën e tri ditëve më parë, ai i la një mesazh nipit të tij.
Akil Pano: Unë personalisht jam takuar me vdekjen kur gjyshi im i ndjerë, Thomai i cili pati një rol të jashtëzakonshëm në jetën time në raport me besimin, vdiq. Tri ditë përpara se ai të vdiste, unë e gjej në dhomë, ai kishte një rituale që unë s’e kuptoja në atë kohë.Përpara se të flinte gjatë drekës, pasdite, ai lutej por unë nuk e kuptoja që ai lutej, ishte periudha komuniste, asnjë nuk mund ta shprehte besimin e tij në publik. Ishte në gjunjë në anë të krevatit, lutej por atë ditë unë e pashë që kishte vendosur kokën mbi duart e veta dhe po qante. Hera e parë që heroi im të qajë, ne e kemi idealizuar figurën e mashkullit, një burrë nuk mund të qajë. I them papuli, nga greqishtja papu, gjyshi, çfarë ke, pse po qan ti? Gjyshi më drejtohet me mënyrën si më thërriste mua ai me përkëdheli, “Kili, do të vdesim një ditë”. Dhe i them unë jo gjyshi, ti nuk do të vdesësh, ne do të jemi këtu, si do të vdesësh? Ti je heroi im, ne do të jemi bashkë. “Do të vdesim”, tha gjyshi.
Unë nuk e dija se çfarë ai po thoshte dhe nuk e kam kuptuar ndonjëherë edhe më vonë se si ai për herë të parë, ndau këtë moment me mua ndërsa tri ditë më vonë pas këtij momenti kur unë për herë të parë dëgjoj fjalën vdekje dhe e përjetova në atë mënyrë nga personi më i dashur që unë kisha në jetën time në atë kohë, gjyshi më thërret, ishte në dhomën e gjumit, në atë kohë familjet jetonin bashkë, pra babai im më i vogli ndër dy djemtë jetonte me dy prindërit dhe unë isha rritur me gjyshin dhe gjyshen në shtëpi. Ai thërret emrin tim, unë vrapoj sepse dëgjoj një thirrje me një zë vokal shumë të lartë, dukej që ai kishte pasur një infarkt dhe unë menjëherë thërras gjyshen, mamin, marrin në telefon babain në qendrën e tij të punës, ai vjen me të shpejtë në shtëpi dhe unë kujtoj në ato momente ndërsa shikoj gjyshin të shtrirë në divan, tri ditë më parë ky më kishte përmendur vdekjen dhe nis të qaj me dënesë. Gjyshi më shikon, ishte në ato momente përpara se të ndahej nga jeta tokësore dhe thotë Kili, më kujto, ne do të takohemi prapë./tvklan.al