Rituali i vizitës në varreza te njerëzit e dashur që nuk jetojnë më për disa është një proces shërimi apo një lloj takimi me të afërmit e tyre. Për të ftuarën e “Shije Shtëpie”në Tv Klan, Armela Vrahoritin kjo qasje vjen ndryshe.

Ajo shprehet se ceremonia mortore dhe vizita në varreza  janë përjetime shumë të forta për të, saqë i shmang gjithnjë. I vetmi rast që ka bërë përjashtim, është gjyshja e saj e ndjerë që e rriti, Ana.

Armela Vrahoriti: Unë mund të jem personi që nuk do ta shihni kurrë në ditën e përcjelljes së mortit, e përjetoj shumë keq.

Katerina Trungu: Nuk shkon edhe kur ke pasur rast të familjarëve?

Armela Vrahoriti: Kam pasur, rasti më i fundit ka qenë halla ime, ndjesë pastë e cila ka 4 vite që është ndarë nga jeta dhe gjyshja nga ana e mamit, nana Ana. Me të kam qenë shumë e lidhur se ajo më ka  rritur, e kisha shumë të vështirë përcjelljen por nga ana jonë ne jemi ortodokosë dhe pritjen e përcjelljen e bëjmë në kishë, kështu që ishte pak më e lehtë por edhe aty e përjetova shumë keq, pata një humbje të ndjenjave, ndoshta për faktin edhe të lidhjes që kishim me njëra-tjetrën. Nana Ana përveç faktit që më ka rritur dhe ka qenë shumë e lidhur me mua, është i vetmi person që unë shkoj shpesh në varreza dhe vetëm për të.

Katerina Trungu: Kur thua vetëm për të, shkon te ajo dhe te asnjë tjetër nuk shkon?

Armela Vrahoriti: Vetëm për nana Anën, ndiej një lloj qetësie, një lloj paqeje. Tani duke u rritur po kuptoj që shumë gjëra që më ka thënë më kanë dalë, në sensin që ishte shumë e zgjuar, më njihte shumë mirë dhe ndonjëherë kur flas me të, kur takohem me shpirtin e saj se z. Akil e di që njeriu vdes fizikisht, por shpirti i tij jeton, të paktën ne kështu ngushëllohemi, është i vetmi person që kur unë shkoj atje ndiej një lloj paqeje.

Armela shton se mban gjithnjë një ikonë të Krishtit që më parë i përkiste gjyshes dhe aty i duket sikur flet me të e i shpreh shqetësimet e saj. Në këto momente, ajo ka vënë re praninë e fluturave për të cilat thuhet shpesh se simbolizojnë shpirtin e një njeriu të dashur.

“Sa herë që jam pak si e shqetësuar, pak si e mërzitur ose ndonjëherë më ka qëlluar që kam qenë edhe pa qejf, duke qenë se jetoj edhe vetëm, gjithmonë e shoh një flutur të madhe, duket sikur është po e njëjta, po e njëjta ngjyrë, po i njëjti dizajn ose ndoshta më është fiksuar dhe mua dhe thjesht ngushëlloj unë veten që ka ardhur nana”./tvklan.al