Disa njerëz besojnë se pas humbjes së një njeriu të dashur, shenja të ndryshme si fluturat janë sinjale se ata vijojnë të kujdesen ende për personat që kanë lënë pas. Pastori Akil Pano kujton në “Shije Shtëpie” në Tv Klan ngjarjen që shoqëroi ndarjen nga jeta të nënës së tij, e cila gjithnjë i dhuronte mbesës një kanarinë apo peshk për ditëlindje. Kur vajza kërkoi një kanarinë pas ditëlindjes së gjyshes dhe nuk iu plotësua, ndodhi diçka e habitshme.
Akil Pano: Ne ishim në një qytet tjetër ditën e ditëlindjes së vajzës për punë dhe do të ktheheshim pasdite, kishim lënë një darkë familjare dhe kishim përgatitur dhuratat tona. Ndërkohë Xhonatani, djali na çon një video dhe thotë “nuk do ta besoni”. Ditën e ditëlindjes së vajzës, nga ballkoni, nga veranda e shtëpisë sonë, dera e dhomës së gjumit të vajzës ishte e hapur, hyn një kanarinë brenda, kemi dëshmitarë për këtë, shkon te shtrati i saj, ishte mëngjes, ulet në prehrin e vajzës dhe ajo thërret vëllain, ky i bën foto e video. Ne nuk po e besonim, unë mendova Xhoni i ka bërë një surprizë motrës së vet, por në fakt ishte një kanarinë që kishte hyrë në shtëpi, kishte shkuar pikërisht te dhoma e vajzës, ishte ulur në prehrin e saj dhe ne kafazë kanarinash kishim plot aty, e morën, e vunë në kafaz dhe nisën ta ushqenin, e quajtën Tuiti se Tuiti ishtee emri i një kanarine tjetër të mëparshme, por kjo na bëri të mendonim më thellë./tvklan.al