Këto janë pamjet e operacionit të finalizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane të koordinuar nga SPAK dhe prokuroria e Breshias për goditjen e një grupi shqiptar që dyshohet se trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut në Europë.

Gjatë operacionit u arrestuan 12 persona, 5 prej të cilëve në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër në vende si Spanja apo Italia, ku ky grup kishte aktivitet. Nën hetim kanë qenë 40 shqiptarë dhe italianë.

Ky grup dyshohet se ka trafikuar drogë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në disa qytete të Italisë, por edhe në shtete të tjera të Europës Qendrore.

Në disa raste të provuara, ka rezultuar se kokaina është dërguar në vendin tonë përmes autobusëve të linjës Breshia – Elbasan. Pikërisht nga ky qytet dyshohet se janë dhe krerët e këtij grupi janë vëllezër që sipas policisë italiane njihet ndryshe si ‘klani Çela’. Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2020, teksa 1 vit më pas autoritetet italiane arrestuan një nga anëtarët e tij duke i gjetur 350 kilogramë kokainë.

SPAK thotë se anëtarët e organizatës përdornin telefona të “kriptuar” nga analiza e të cilëve është zbuluar se grupi kishte trafikuar qindra kilogramë kokainë. Për këtë qëllim krerët kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Dubai, ku edhe ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë.

Tv Klan