Vetëdorëzohet në Policinë e Durrësit një nga personat më të kërkuar nga drejtësia italiane dhe ajo spanjolle. Kreshnik Farruku nga Manza, i cili njihet edhe me mbiemrin Budlla akuzohet se është një nga drejtuesit e klaneve më të mëdha shqiptare të trafikut të drogës që vepron nga Amerika Latine në Europë.
Autoritetet e drejtësisë kanë nisur menjëherë procedurat e ekstradimit drejt Italisë. Prokuroria e Breshias ka firmosur urdhër-arrest për Farrukun duke ngritur dyshime se është kreu i një grupi kriminal që merrej me trafikim e lëndëve narkotike.
Aktiviteti i tij kriminal shtrihej edhe në Spanjë. Policia e Madridit në vitin 2023 organizoi një operacion të gjerë ndaj këtij klani, duke arrestuar vëllezëit Kreshnik dhe Erneo Farruku dhe disa anëtarë të tij. U sekuestruan 2 ton kokainë që dyshohet se kishte ardhur nga Ekuadori dhe ishte porositur nga klani Farruku. Aktivitetin kriminal dyshohet se e nisën në vitin 2010.
Kreshnik Farruku u arrestua fillimisht së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë. Pas katër vitesh ai u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019 për t’i shpëtuar sërish drejtësisë. Në 2015 Kreshnik Farrukut i është bërë një atentat në Don Bosko ku mbeti e plagosur një kalimtare.
Në Dhjetor të vitit 2024 Gjykata e Posaçme i konfiskoi 27 pasuri të këtij klani, të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut, vëllait Erneo Farrukut dhe të afërmve të tyre, si toka bujqësore, apartamente, dyqane dhe automjete.
Klan News