Pas 5 vjetësh Gramoz Ruçi rikthehet në drejtimin e Grupit Parlamentar Socialist. Deputetët rozë me votim të fshehtë vetëm pak orë përpara mbajtjes së Konferencës së Kryetarëve të thirrur nga Kryeparlamentarja Topalli, kanë votuar në  mënyrë unanime kryetarin e Asamblesë Kombëtare si kryetar të Grupit Kuvendor.

Të pranishëm në votim kanë qenë 55 deputetë, pa përfshirë këtu Ruçin, i cili si kandidat i vetëm nuk ka të drejtë të votojë. Ndërsa kanë munguar  8 të zgjedhur socialistë: Pandeli Majko , Ben Blushi, Kastriot Islami, Ahndis Harasani, Marko Bello, Fidel Ylli, Ilir Bejtja dhe Rudina Seseri. Nesër pritet që socialistët të sjellin strukturat e tjera drejtuese të grupit parlamentar.

Gramoz Ruçi ka drejtuar grupin parlamentar  socialist dhe kur këta të fundit ishin në mazhorancë në periudhë  2002-2005, kur partia dhe qeveria drejtoheshin nga Fatos Nano. Në këto 7 muaj bojkot në korridoret e selisë rozë janë përfolur shumë emra si kandidat të mundshëm për t’u emëruar nga kryesocialisti Rama në krye të Grupit Kuvendor. Njëri prej tyre është dhe ish-Kryeministri Pandeli Majko, një nga figurat e Partisë Socialiste, i njohur si i besuari i Kryetarit Rama. Tjetër emër i përfolur është dhe ai Valentina Leskaj, e cila e mbante këtë detyrë deri në shpërndarjen e parlamentit për zgjedhjet e 28 Qershorit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka