Lajme Arkiva 2003

9 gra pjesëtare të familjeve që humbën shtëpitë në firmat piramidale janë futur në grevë urie pasi prej 6 vjetësh presin kredi nga shteti për të patur një strehë mbi kokë. Secila prej tyre tregon se i kanë marrë me radhë dyert e ministrive dhe institucioneve duke kërkuar shtëpi me çmim koston e ndërtimit, ose kredi favorizuese.

Për të siguruar qiratë e banesave gratë shprehen se janë të detyruara të marrin borxhe te të afërmit ose të paguajnë me mundin e punës së vështirë që nuk del as për të jetuar.

Greviste: Kërkesat tona janë vetëm këto. Duam shtëpi. Të na japi shteti shtëpi me koston e ndërtimit dhe në pamundësi të na japin kredi afatgjatë dhe interes bankar të ulët kaq. Nuk kërkojmë nga shteti asgjë tjetër dhe duam mbarë opinionit publik ngado që na shikon e na dëgjon ta dijë mirë, ne nuk jemi këtu në grevë politike. Nuk kemi hyrë këtu për interes të partive politike të asnjërës parti apo tjetrës. Kemi vetëm kërkesën kryesore,  duam shtëpi asnjë gjë më shumë.

Greviste: Jam shumë e stresuar. Nuk di ç’të them më. Nuk jetoj dot më këtë jetë kështu. Burrin e kam shumë të sëmurë, djalin e ka pa punë e të tjerët kështu. Kam një muaj që dua ti takojë, nuk mund të takoj dot asnjë njeri. Te enti i banesave kam shkuar te bashkia, e prapë asnjë përgjigje dhe madje na kanë thënë mos mbani shpresë kot se nuk ka asnjë gjë.

Pas 6 vjetësh shpresa të kota përgjigjja e fundit që kanë marrë nga kryeministria i vë në dijeni se kësti i dytë i kredisë greke është vonuar në lëvrim. Ndërsa me të mbërritur ky këst do të fillojnë ndërtimet në sheshet e ish kopanisë Vefa në Laprakë.

Por mosbesuese nga fjalët në letër ato kanë vendosur të përdorin grevën e urisë si mjet i fundit. Gratë kanë marrë një shtëpi të vogël me qira për të realizuar grevën e tyre të urisë dhe kanë paguar së bashku qiranë e kësaj godine me lagështirë.

Që në natën e parë të grevës gjendja e tyre është rënduar për shkak  të të ftohtit, ndërsa ndonjëra prej tyre mbart edhe sëmundje të tjera për shkak të jetesës së vështirë në banesat e mjera ku qëndrojnë.

Jashtë godinës fëmijët e disa prej grave në grevë kishin ardhur për të takuar nënat e tyre të cilat përveç urisë kanë dhe një sakrificë tjetër pasi kanë lënë në shtëpi edhe fëmijë të vegjël./tvklan.al