Thellohen tensionet mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kjo e fundit ka ndaluar vizitën e presidentit maqedonas Branko Cërvenkovski në Athinë, ku ai planifikonte të merrte pjesë në samitin e shefave të shteteve të Evropës Juglindore që do të mbahet më 13 Qershor.
Sipas zyrës greke në Shkup presidenti nuk është i mirëpritur nëse ai do të udhëtojë me avionin shtetëror pasi mban emrin “Macedonia Airlines”.
Megjithatë kjo zyrë ka ofruar mënyra të tjera për mbërritjen e presidentit maqedonas në kryeqytetin helen, propozime që nuk janë pranuar nga Shkupi.
Kështu Cërvenkovski, i cili dëshiron të udhëtojë vetëm me “Macedonia Airlines” dhe me asnjë kompani tjetër, ka anuluar vizitën e tij, ndonëse ftesa ishte bërë nga homologu grek, Karolos Papulias.
Çështja e emrit të Maqedonisë është kthyer në një mollë sherri mes dy vendeve saqë Shkupit i kushtoi marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje të dyja palëve të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë për çështjen e emrit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle