Greqia do të vazhdojë të insistojë në përpjekjet e saj për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deklarata vjen nga zëvendësi i Papandreut në Ministrinë e Jashtme, Dimitris Drutsas.

Siç raporton BBC, në funksion të këtij objektivi, zyrtari i lartë grek veçoi propozimin e bërë nga kryeministri i tanishëm, Papandreu në samitin e BE-së të Selanikut, në Qershor 2003, për krijimin e një “Harte Rrugore”, që do të ketë si qëllim integrimin sa më parë të Ballkanit në bllokun 27 anëtarësh.

Duke përforcuar deklaratën e kryeministrit Papandreu, Drutsas tha se viti 2014 është afati optimal i mjaftueshëm që vendet e rajonit të bëjnë përgatitjet e nevojshme për integrimin e tyre.

Ai shtoi se modeli i BE-së duhet të zbatohet edhe në Ballkan dhe theksoi se vetë blloku 27 anëtarësh ka detyrim ndaj këtyre vendeve që t’i ndihmojë për integrimin e tyre.

Një tjetër çështje që përbën një prioritet për Athinën zyrtare është çështja e emrit të Maqedonisë.

Zyrtari i lartë grek vlerësoi se kushti kryesor për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian është zgjidhja e mosmarrëveshjes për çështjen e emrit. 

Sipas tij qeveria greke do të shqyrtojë çdo mënyrë të mundshme, që të arrijë progres në këtë çështje.

Drutsas vërejti se në këto moment Shkupi zyrtar po përdor një retorike ekstreme, dhe shtoi se në rast se qeveria e Maqedonisë kërkon shansin për progres duhet të heqë dorë nga sjellje të tilla.

Lidhur me marrëdhëniet me Turqinë, diplomati tha se qeveria greke interesohet në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Turqinë./tvklan.al