Çështja e shumëpërfolur për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë, për përcaktimin e kufirit detar dhe shelfit kontinental, është një spekulim i pastër dhe keqinformim i opinionit publik.

Kështu deklaroi zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në një prononcim për mediat, ku sqaroi se për ratifikimin e saj do të ndiqet rruga e transparencës. 

Ilir Meta: “Duke frymëzuar spekulime të tilla, për fat të keq edhe drejtues të opozitës kontribuojnë për të dëmtuar imazhin e vendit, raportet e tij me fqinjët. Ndërkohë që i kanë të gjitha mundësitë institucionale për të kontribuar, për të realizuar të gjithë transparencën e duhur, dhe unë dua ti siguroj që të gjithë se ekspertet kanë punuar me përgjegjësi maksimale në respekt të kushtetutës së vendit tonë dhe në respekt edhe të konventave ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë. Prandaj jam i bindur që të gjitha këto spekulime dhe gjitha këto falsifikime, apo dhe shqetësime, do të marrin përgjigjet e tyre në mënyrë shumë transparente edhe në Kuvendin e Shqipërisë përpara se marrëveshja të ratifikohet”.

Meta reagoi gjithashtu edhe ndaj deklaratave te kryesocialistit Rama, i cili e kritikoi këtë marrëveshje dhe tha se do të ngrejë një grup ekspertesh.

Ilir Meta: “Nuk është në dinjitetin e opozitës që të nxisë frymëzime të tilla, ksenofobe dhe ekstremizmi në raportet me fqinjët, jo vetëm për rastin në fjalë, por kam parasysh edhe disa deklarata të pa dëgjuara deri më parë nga politikanë shqiptar, për të djegur flamuj të vendeve fqinje. Nuk është kjo politika e Shqipërisë, dhe kur flasim për politikën e Shqipërisë duhet të jemi më te përgjegjshëm”.

Meta sqaroi se linja e politikës së jashtme të Shqipërisë nuk mund të jetë kjo e opozitës dhe se qeveria është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare e ato kushtetuese, duke garantuar sovranitetin territorial të republikës së Shqipërisë.

Ai u bëri thirrje palëve të interesuara dhe veçanërisht opozitës që të bëhen pjesë e transparencës mbi këtë çështje dhe të mos krijojnë me qëllim apo pa dashje emocione të dëmshme, por të respektojnë punën e ekspertëve dhe legjitimitetin e saj./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro