Në ditën e tretë të grevës së urisë deputetet kanë shfaqur problemet e para me shëndetin. Në këto pamjet të siguruara nga TV Klan duket qartë deputeti Tola duke marrë serum i asistuar nga deputeti Braho në sallën e seancave plenare. Një grup mjekësh i ka asistuar në vijimësi deputetët, duke analizuar parametrat e tyre shëndetësor. Megjithatë sikurse konfirmohet dhe nga zëdhënësi i grevës Dritan Prifti, 10 deputetet greviste duken të vendosur t’i shkojnë deri në fund grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Jashtë dyerve të Kuvendit e njëjta panorama me protestues që pas 2 ore pushimi, u kthyen sërish me brohoritje të vazhdueshme në mbështetje të deputeteve grevistë. Pasdite u konsumua dhe një debat me uniformat blu për shkak të një çadre që protestuesit kishin zgjedhur ta ngrinin përballë selisë së kuvendit.
E enjtja paralajmëron zhvillime të reja për shkak se ajo shënon ditën e zhvillimit të seancës së radhës plenare të kuvendit. Një mbledhje e konferencës së kryetareve qe zgjati jo pak por 2 ore nuk mori vendim nëse do të zhvillohet apo jo seance, por doli me një deklaratë të përbashkët.
Në deklaratë shprehet shqetësimi për kushtet e papërshtatshme ku po zhvillojnë grevën deputetet të papranueshme edhe për shëndetin e tyre. Ndaj behet thirrje për arsye dhe përgjegjshmëri politike.
Deputetëve grevistë u behet thirrje të kërkojnë ambiente të tjera të përshtatshme. Duke i kujtuar se procesi mbetet ende i hapur për diskutim në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Deri tani thuhet në deklarate të gjitha hapat për reforme zgjedhore janë marrë me konsensusin më të madh të mundshëm dhe se procesi nuk mund te pengohet nga askush.
Konferenca e kryetareve vlerësoi se greva e urisë kurrsesi nuk mund të konsiderohet mjet legjitim për te ushtruar presion politik. Në përfundim deklarata thekson se çdo tentative për të bllokuar kuvendin është e papranueshme duke ftuar deputetët në grevë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe rregulloren e kuvendit. Por këta të fundit si përgjigje të këtij reagimi kanë bërë publike një deklarate të përbashkët.
Dritan Prifti: “Me ndjenjë të lartë përgjegjësie qytetare dhe politike, grevistët deklarojnë vendosmërinë e pa tundur për të çuar deri në fund luftën dhe misionin për votën e lirë që është lufta më e rëndësishme për integrimin europian të Shqipërisë. Ne denoncojmë përgjegjësit historik për dështimin e zgjedhjeve në Shqipëri PS dhe PD të cilat në mënyrë të rrufeshme pa konsultime publike dhe pa konsensus të gjerë, ndryshuan kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, bënë në fshehtësi një kod zgjedhor që shkel parimet e shenjta dhe standardet europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çdo provokim, skenar i dhunshëm ndaj grevistëve deputet apo qytetarëve që i mbështesin do jetë një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e pushtetit konsensual të Sali Berishës dhe Edi Ramës”.
Monika Kryemadhe: “Sot policia ka arrestuar një shokun tim Kujtimin, e ka dhunuar dhe e ka rrahur. Megjithatë dhe shumë nga jush janë rrahur sot, edhe unë u rraha po s’ka problem, edhe unë jam rrahur po nuk ka problem. Unë do them fale zot se nuk di se ç’bën”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi