Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Prej 10 ditësh i gjithë transporti hekurudhor është i paralizuar nga greva që ka nisur Sindikata e Transportit. Në Stacionin e Trenit në Tiranë, sheh të afishuara kudo, letra që lajmërojnë se punonjësit janë në grevë, por nuk ka asnjë lajmërim se sa do të zgjasë ajo. Megjithëse të paktë në Stacionin e Trenit, ka pasagjerë, të cilët vetëm kur kanë mbërritur këtu kanë mësuar se punonjësit e hekurudhave kanë nisur një grevë.

Gazetarja: Nuk e dinit që ishin në grevë trenat?

Qytetari:- “Jo nuk e dija, tani do udhëtoj me furgon”.

Por greva e transportit hekurudhor po vë në rrezik dhe aktivitetin industrial. Në stacionin e Librazhdit, prej fillimit të grevës është bllokuar rreth 6 mijë tonë naftë, ndërkohë që prodhuesit e çimentos nuk po mundin të transportojnë lëndën e saj. Kjo grevë po i shkakton një humbje prej dhjetëra miliona lekësh industrisë së rëndë në të gjithë vendin, ndërkohë që askush nuk e di se kur do të marrë fund.

“Greva jonë është grevë ekonomike, presim nga drejtoria dhe nga qeveria, që të vijnë të ulen me sindikalistët që i kemi në Durrës ne dhe të na japi të drejtat tona, thjesht fare rroga e 13-të”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka